Wednesday, December 7, 2016

Rosa canina, trëndafili i egër - Vetitë dhe mënyrat e përdorimit




Ky material është shkëputur nga Libri ''Bimët Mjekësore dhe Shëndeti''.

Nuk mund të kopjohet pa Autorizimin e stafit tonë!


Të gjitha të drejtat i takojnë firmës Arbëria ®


Rosa canina: Trëndafili i egër (trëndafil qeni).
Familja: Rosaceae.


Trëndafili i egër është një shkurre me degë gjëmbore 2-4 metra e lartë. Rrënjën e ka të gjatë e fibroze dhe prodhon shumë degë me gjatësi deri 3.5 metra. Nga maji deri në gusht degët mbushen me lule të bardha pesëpetalëshe, të vetmuara ose nga dy e nga tre, me aromë shumë të këndshme. Ky trëndafil gjethet i ka me dhëmbë të thjeshtë dhe pjesërisht me dhëmbë të dyfishtë. Frytet piqen në gusht-shtator.
Besohet se shëron njerëzit e kafshuar nga qeni i tërbuar, prandaj, që në kohë të vjetra është quajtur edhe “trëndafil qeni”.

Trëndafili i qenit e ka origjinën në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.

Në Shqipëri rritet pothuajse i zakonshëm nëpër toka gurishtore, nëpër pyje shkurresh, nëpër argjinatura e gardhe të pakujdesura, në gjithë zonën e ulët deri në zonën subalpine.

Pjesë të përdorshme: Frytet. Në disa mënyra mjekimi përdoren edhe petalet e luleve të freskëta, madje edhe gjethet.
Frytet mblidhen në ditë me diell, në fazën e parë të pjekjes, dhe thahen menjëherë në hije, në vende me qarkullim të bollshëm ajri.

Përmban: Vitaminë C, (30-80 herë më shumë se portokallet e limonat dhe është  mrekullisht e qëndrueshme edhe ndaj zierjes së gjatë në temperaturë të lartë), provitaminë A (antioksidante), vit. P, E, B e K, karotinë, acide organike, tanin, sheqerna, vaj esencial, flavonoide, pektina, proteina, pigmente, etj.
                                                           
     Cilësitë kryesore vepruese: Vitaminike, antiinfiamatore, stomakike, antioksidante, tonike, adstringjente, diuretike.

          Qëllimi i përdorimit:

- Qëllimi kryesor dhe më i rëndësishmi është ai i përfitimit të vitaminës C
- Përdoret si tonik.
- Përdoret për të rritur rezistencën e organizmit ndaj të ftohtit, ndaj gripit, ndaj fytit të irrituar, ndaj infeksioneve të gjoksit, etj.
- Përdoret pas ndonjë kure me antibiotikë për të riekuilibruar gjendjen e baktereve të dobishëm në stomak e në zorrë, të cilët përdorimi i antibiotikëve i shkatërron.  
- Përdoret kundër infiamacioneve në veshka dhe në fshikëzën e urinës.
- Përdoret kundër ezaurimentit nervor.
- Përdoret kundër rrudhave dhe kundër plakjes së lëkurës në përgjithësi, etj.
- Vaji esencial i trëndafilit të egër përdoret për të mjekuar ekzemën, psoriazën, përdoret në aromaterapi, etj.

Mënyra e përdorimit:

- Në formë dekokti: Marrim tre lugë kafeje me kokrra të freskëta (ose një lugë kafeje me kokrra të thara), në të dy rastet pjesërisht të thërmuara, dhe i përziejmë me 200 ml. ujë të ftohtë pa klor. I hedhim në një enë balte ose porcelani me kapak dhe i vëmë në zjarr, deri sa të fillojë të valojë. Kur fillon të valojë e ulim forcën e zjarrit dhe e lëmë ashtu edhe 10 minuta të tjera, pastaj e heqim, e kullojmë, e lëmë të ftohet, e ëmbëlsojmë me mjalt ose me sheqer dhe këtë sasi e pimë të ftohtë gjatë gjithë ditës, disa herë nga pak.

- Shurup: Përgatisim si më lart, por me dyfishin e kokrrave në të njëjtën sasi uji, një dekokt të fortë. Pasi e kullojmë, ende të vakët e përziejmë mirë me një lugë gjelle mjalt për çdo 100 ml. lëng. E hedhim të tërë në një shishe të errët dhe e përdorim gjatë ditës, duke pirë nga pak herë pas here. Konsumohen 100 ml. në ditë.
         
 - Në formë infuzi: Dy lugë kafeje me kokrra të thara të thërmuara i hedhim në 500 ml. ujë dhe i valojmë dhjetë minuta, pastaj i heqim nga zjarri dhe i lëmë në qetësi 15-20 orë. Kullojmë lëngun dhe e pimë të ngrohtë e të ëmbëlsuar sipas dëshirës. Kjo sasi mjafton për dy ditë. 

- Në formë maske bukurie: merren fryte të freskëta të trëndafilit të qenit dhe grihen në grirës kuzhine, kullohen me kujdes në një napë të palosur dysh, pastaj lëngu vendoset me delikatesë në gjithë lëkurën e fytyrës, duke ndejtur shtrirë mbrapsht. Mbahet 15-20 min., pastaj shplahet me ujë të vakët.
Ka efekt të mrekullueshëm pastrues, lëmues rrudhash dhe gjallërues të lëkurës.

(Për qëllime vitaminike, trupi i njeriut i plotëson kërkesat ditore me 8-10 kokrra të trëndafilit të qenit).
- Nëse përdoret e kombinuar me bimë të tjera mjekësore forcon efektin e tyre kurativ.

Kujdes!

- Gratë shtatzëna nuk duhet të përdorin vajin esencial të trëndafilit të qenit, sidomos në muajt e parë të barrës.
- Njerëz të veçantë mund të jenë alergjikë ndaj kokrrave të trëndafilit të qenit. Nëse shfaqet diaré, shqetësime në fyt, etj., të ndërpritet menjëherë përdorimi i mëtejshëm.
- Mos merrni doza të mëdha. Mjaftojnë pak kokrra në ditë për të gjitha nevojat tuaja.
- Nuk ka asnjë ndërveprim të dëmshëm me çfarëdo produkti farmaceutik të përdorur njëkohësisht me kokrrat e trëndafilit të qenit.E gjeni në dyqanin Bimë Mjekësore.

No comments :

Post a Comment