Tuesday, October 18, 2016

Hithra. Vetitë dhe mënyrat e përdorimit.

Ky material është shkëputur nga Libri ''Bimët Mjekësore dhe Shëndeti''.

Nuk mund të kopjohet pa Autorizimin e stafit tonë!

Të gjitha të drejtat i takojnë firmës ''ARBËRIA''.




Bot: Urtica dioeca: Hithra.
Familja: Urticaceae.

Kjo është një bimë barishtore shumëvjeçare, e cila në gjithë botën përfshin rreth 500 lloje. Në Shqipëri rritet pothuajse e zakonshme kudo, që nga jugu deri në veri, afër banesave, nëpër gardhe, në gërmalla, në gurishte, në djerrishte, etj.

Pjesë të përdorshme: Gjethet dhe lulet.

Cilësitë kryesore vepruese: Dermike, diuretike, antidiabetike, hemopojetike, telehemostatike, uragoge, hemostatike, antialergjike, ekspektorante, galaktagoge, antidiarroike, adstringjente, etj.

Qëllimi i përdorimit:

- kundër infiamacionit të rrugëve urinare;
- kundër hemoragjive të brendshme;
- kundër zmadhimit jo malinj të gjendrës së prostatës (sidomos rrënjët);
- kundër rrufës alergjike shkaktuar nga bari, kundër alergjisë së syve, kundër teshtitjes;
- kundër kollës, gëlbazës dhe flegmës (së mushkërive);
- kundër rrjedhjes së gjakut nga hundët;
- për pastrimin e flegmës nga mushkëritë dhe nga stomaku;
- kundër zbokthit, por dhe ndihmuese për forcimin e flokëve të holluar (sidomos rrënjët);
- për të përfituar minerale në organizëm.

Mënyra e përdorimit:

- Në formë infuzi: marrim 25 gr. gjethe të freskëta hithre (ose 5 gr. bimë të tharë), i bashkojmë me një filxhan çaji ujë pa klor, të ftohtë. E vendosim enën në zjarr, e lëmë sa të valojë, pastaj e heqim nga zjarri dhe e lëmë të qetë 10-12 min., të mbuluar me kapak. Pasi e kullojmë është gati për përdorim, ëmbëlsuar me mjalt ose me sheqer, sipas dëshirës. Ky çaj pihet i ngrohtë, ose i ftohtë. Përdoret si tonik i përgjithshëm, diuretik, përfitues mineralesh, vitaminash, etj., duke marrë tre-katër filxhanë çaji në ditë. (Në të njëjtën mënyrë mund të përdoren edhe rrënjët).

- Dekokt kundër zbokthit: marrim 130 ml. ujë të ftohtë pa klor, e bashkojmë me 130 ml. uthull rrushi, shtojmë 10 gr. rrënjë të thara (ose 50 gr. rrënjë të freskëta), e vendosim në zjarr të lehtë dhe, pasi valon 2-3 min. e heqim. Enën e lëmë në qetësi 20-30 min., mbuluar me kapak, pastaj e kullojmë dhe e përdorim për të lyer kokën, duke e fërkuar lehtë disa minuta, kudo që kemi flokë. Heq zbokthin e njëkohësisht forcon flokët e dobësuar e të holluar.

- Për të pastruar gjakun, përdoret në formë infuzi, e vetme ose e bashkuar me bimë të tjera, si p.sh.: me rrënjë radhiqje, me rrënjë rrodhe, etj.

- Hithra përdoret edhe e përgatitur në formë tinkture, ekstrakti të lëngët, shurupi, pomade, etj.
- Përdoret gjithashtu e gatuar në mënyra të ndryshme, por asnjëherë nuk duhet përdorur e gjallë, sepse shkakton probleme (djegie, skuqje, kruarje) kudo që na prek.

Kujdes!

- Ka njerëz që janë alergjikë ndaj hithrës. Natyrisht, ata nuk duhet  ta përdorin.
          - Kush përdor hithrën për të pastruar rrugët urinare, ndërkohë duhet të pijë shumë ujë.
- Përgatesat e hithrës nuk duhen përdorur nga ata që  vuajnë nga mbajtja e lëngjeve, si rezultat i problemeve në zemër ose në veshka.
- Kush mjekohet me preparate farmaceutike kundër artritit duhet të këshillohet me mjekun para përdorimit të hithrës. 


Më shumë informacione gjeni në Librin ''Bimët Mjekësore dhe Shëndeti''.

E gjeni në dyqanin Bimë Mjekësore

Ju mirëpresim të gjithëve!

No comments :

Post a Comment